

![0_image_0.png](0_image_0.png)

DIREKTIVA E MBROJTJES 
2014 Nr. ______, datë ____________
Zoti shef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Komandantë të Forcave, Komandantë të njësive dhe reparteve të FA, Drejtues civilë dhe ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes, Misioni i Forcave të Armatosura për ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale, mbështetjen e popullsisë në kohë paqeje, krize e lufte, si dhe dhënien e kontributit për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë mbetet një mision i shenjtë. Ky mision do të vijojë të realizohet duke harmonizuar të gjitha planet dhe përpjekjet me Aleancën e NATO-s dhe me institucionet e tjera të sigurisë së shtetit. Programi i ri i Qeverisë në fushën e mbrojtjes, përmban objektiva ambiciozë të cilat kërkojnë vijimin e reformave dhe transformimin e mëtejshëm të Forcave tona të Armatosura, krijimin e kapaciteteve të nevojshme ushtarake për përballimin e sfidave të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe vendosjen e tyre në lartësinë që meritojnë në shoqërinë shqiptare. Në qendër të këtyre reformave do të jetë lartësimi i figurës dhe integritetit të ushtarakut, nëpërmjet zhvillimit të politikave të nevojshme në fushën e personelit, legjislacionit, promovimit në karrierë, rritjen e transparencës, llogaridhënies, si dhe eliminimin e korrupsionit në Forcat e Armatosura. Drejtime të tjera të rëndësishme do të jenë ristrukturimi i Forcave të Armatosura, zhvillimi i kapaciteteve operacionale dhe atyre mbështetëse, përsosjen e sistemit të arsimit dhe stërvitjes, infrastrukturës, modernizimit dhe rritjes së efektivitetit të diplomacisë ushtarake. Viti 2013 shënoi një serë arritjesh në drejtim të integrimit të plotë të FA në strukturat ushtarake të NATO-s, pjesëmarrjes në operacionet e drejtuara nga NATO dhe BE, zgjerimit të gamës së trajnimit dhe stërvitjes, si dhe demontimit të municioneve të tepërta. Me gjithë rezultatet e arritura, konstatoj mosrealizime të cilat lidhen me: hartimin e dokumenteve kryesore strategjikë të sigurisë dhe mbrojtjes; zhvillimin e kapaciteteve të plota operacionale; keqadministrim të burimeve të mbrojtjes, të cilat kanë rezultuar në një situatë të rënduar financiare; investime e mirëmbajtje të sistemeve dhe pajisjeve të mbrojtjes, si dhe problematika në procesin e vlerësimit dhe promovimit në karrierë e gradë të personelit ushtarak. Në vijim të arritjeve të 100 ditëve të para të qeverisjes, në funksion të realizimit të misionit kushtetues të FA, si dhe detyrimeve të vendit tonë ndaj NATO-s, ju praqes:

## I. Objektivat Dhe Prioritetet Kryesore Për Vitin 2014.

1. Zbatimi i rekomandimeve të dokumentit Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes. 2. Planifikimi i detajuar për zhvillimin e Objektivave të Kapaciteteve. 3. Kryerja e reformës ligjore dhe asaj strukturore. 4. Lartësimi i figurës dhe integritetit të ushtarakut.

## Ii. Drejtimet Kryesore Të Punës Për Vitin 2014:

1. Përfundimi i dokumenteve strategjik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Gjatë vitit 2014 të kontribuohet dhe të punohet intensivisht për përgatitjen e dokumenteve të mëposhtme: 
- *Strategjisë së Sigurisë Kombëtare;*
- *Strategjisë Ushtarake;* 
- *Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura.* 
2. Rishikimi i Strukturës së Forcave të Armatosura, e cila të synojë ndërtimin e kapaciteteve operacionale të nevojshme për arritjen e nivelit të ambicies të Forcave tona të Armatosura të shprehura në Dokumentin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes. Struktura e forcës së ardhme të ndërtohet duke balancuar kapacitetet e kërkuara operacionale dhe mbështetëse me burimet e vëna në dispozicion të mbrojtjes. 

 **3. Reforma Ligjore,** në themel të së cilës të jetë rishikimi i të gjitha akteve që rregullojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura në përputhje me stadin aktual dhe perspektiv të reformave në fushën e mbrojtjes. 

4. Reforma e personelit, e cila, në përputhje me rekomandimet e RSM, të mbajë parasysh gjithë ciklin jetësor të personelit, që nga rekrutimi, promovimi në karrierë, deri në daljen në lirim. Prioritet të jetë promovimi i personelit, me kualifikimin dhe eksperiencën e duhur, integritetit të plotë, dinjitet dhe përkushtim në kryerjen e detyrave të ngarkuara. Një vend të rëndësishëm të zërë përmirësimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i politikave të personelit për përzgjedhjen dhe dërgimin e personelit në operacione jashtë vendit, arsimimin, trajnimin dhe kualifikimin, vlerësimin fizik e shëndetësor te personeli, si dhe kontrollin e procesit të vlerësimit vjetor të personelit ushtarak.

5. Batalioni i Këmbësorisë së Motorizuar do të jetë kapaciteti prioritar i Forcave të Armatosura, si dhe detyrimi ynë kryesor në kuadër të kapaciteteve të kërkuara nga NATO. Zhvillimi i këtij batalioni të konsiderohet parësor nga SHPFA dhe Forca Tokësore, duke u reflektuar në të gjitha planet e ristrukturimit, modernizimit, trajnimit dhe stërvitjes për vitin 2014.

6. Arsimimi, Trajnimi, Stërvitja dhe Vlerësimi. Procesi i arsimimit, trajnimit, stërvitjes dhe vlerësimit të konsolidohen më tej, në përputhje me standardet më të përparuara të NATO-s. Objektivi kryesor i këtij sistemi të jetë mbështetja e Forcave të Armatosura me personel profesional për përmbushjen e të gjithë spektrit të detyrave operacionale. 

a. *Sistemi i arsimor* duhet t'i nënshtrohet një transformimi të thellë, ku prioritet të mbetet përgatitja e ushtarit profesionist, nënoficerit, kadetëve dhe oficerit të trupës dhe shtabeve për të gjitha nivelet. Programi pilot që do të zhvillohet në bashkëpunim me SHBA-në të shërbejë si një gur themeli për konsolidimin e këtij sistemi në të ardhmen. 

b. *Trajnimi individual* duhet të planëzohet në të gjithë strukturën e Forcave të Armatosura duke përfshirë nivelin taktik deri në nivelet më të larta politiko e strategjike. Në thelb të këtij trajnimi të jenë kërkesat për kryerjen e detyrës specifike individuale të përcaktuar. 

c. *Trajnimi kolektiv dhe stërvitjet* mbeten elementë të rëndësishëm për kompaktësimin e trupës, reparteve dhe njësive ushtarake për realizmin e misionit kushtetues të Forcave tona të Armatosura. Stërvitjet të marrin parasysh nivelin kombëtar, rajonal dhe NATO-s, duke e shtrirë spektrin e vet që nga përballimi i emergjencave civile e deri tek bashkëpunimi me NATO-n në kuadër të mbrojtjes kolektive. 

d. *Vlerësimi* i individëve, grupeve, njësive dhe reparteve ushtarake të jetë pjesë e pandarë e veprimtarisë së Forcave të Armatosura. Prioritet për vitin 2014 të mbetet krijimi i një grupi vlerësuesish për kapacitetet operacionale në përputhje me kërkesat e NATO-s. 

7. Pjesëmarrja në Operacione. Shpreh mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë atyre që shërbejnë, së bashku me aleatët tanë, në misionet tona jashtë vendit, në ruajtje të paqes dhe sigurisë. Ata do të mbetën pjesa më vitale e shoqërisë dhe Forcave tona të Armatosura. Ne mbetemi tërësisht të angazhuar të kontribuojmë në përfundimin e Operacionit ISAF, Afganistan. Gjatë vitit 2014, FA të planifikojnë pjesëmarrjen në operacionin e ardhshëm "Rezolute Support" në përputhje me direktivën e NATO, si dhe KFOR në Kosovë dhe ALTHEA në Bosnje–Hercegovinë. Operacionet brenda vendit të kenë në fokus të tyre kontributin e FA në përballimin e emergjencave civile, duke lartësuar kësisoj dimensionin social të tyre. 

8. Mbështetja logjistike e mjekësore. Strukturat e mbështetje logjistike dhe mjekësore të rrisin rolin e vet për krijimi e kushteve më optimale të mundshme për realizimin e misionit të Forcave të Armatosura. Fokusi i punës së strukturave logjistike të FA-së të jetë funksionimi i logjistikës së integruar dhe planëzimi i mbështetjes logjistike bazuar në ciklin jetësor dhe standardet me të përparuara të NATO-s si dhe përdorimi i gjerë i informatizimit logjistik. Koncepti logjistik të ripunohet për të mbështetur në mënyrë të plotë dhe efiçente strukturën e re të Forcave të Armatosura. Mbështetja shëndetësore të përfshijë planëzimin e plotë për implementimin e objektivave të kapaciteteve operacionale mjekësore, informatizimin e të dhënave shëndetësore individuale, kualifikimin e personelit mjekësor, si dhe forcimin e kontrolleve periodike shëndetësore. Kjo mbështetje të shtrihet deri në nivelin spitalor, duke ofruar shërbime në përputhje me standardet e NATO-s.

## 9. Modernizimi Dhe Infrastruktura.

a. *Modernizimi* i Forcave të Armatosura me armatim, teknikë, pajisje dhe sisteme të zhvillohet në përputhje me objektivat e planit afatgjate, duke synuar plotësimin e kapaciteteve operacionale për pjesëmarrjen në misionet brenda dhe jashtë vendit. Në kushtet e kufizimeve financiare, është e nevojshme finalizimi i të gjitha kontratave ekzistuese, duke bërë rregullimet e duhura në përputhje me kuadrin ligjor. Një vend të veçantë të zënë projektet e financuara nga NATO apo nga donatorë të tjerë. Në këtë kuadër prioritet mbetet zbatimi i projektit NATINADS me NATO-n. Prioritet për vitin 2014 mbetet:
 finalizimi projekteve të modernizimit të Forcave Ajrore dhe Forcave Detare. Në këtë kuadër del e nevojshme gjithashtu vlerësimi i kapacitetit teknologjik dhe njerëzor i Uzinës së Ndërtimit të Anijeve në Pashaliman, si dhe studimi i mundësisë së vazhdimësisë së punës edhe pas përfundimit të kontratave aktuale.

 Modernizimi i batalionit të 2-të të Këmbësorisë, duke filluar me kompaninë e NRF-së. 

 Automatizimi i programeve dhe sistemeve të mbrojtjes të vijojë të implementohet plotësisht në përputhje me konceptin e integruar dhe progresit të bërë deri tani. 

b. *Infrastruktura* të përmirësohet duke u përqendruar investimet në krijimin e kushteve sa më optimale për realizimin e misionit të kërkuar, si dhe për jetesën e personelit të forcave të armatosura. Prioritet në këtë drejtim do të ketë normalizimi i kushteve të punës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe njësitë prioritare në bazë të Planit të Zhvillimit Afatgjatë të Forcave të Armatosura.

10. Demontimi i municioneve të tepërta do të vijojë edhe gjatë vitit 2014. Forcimi i masave të sigurisë në këtë proces duhet të jetë parësor për të shmangur aksidente apo ngjarje të jashtëzakonshme. Evadimi i materialeve dhe pajisjeve të tepërta do të jetë prioritet i njësive përkatëse të Forcave të Armatosura. 

11. Menaxhimi i Burimeve Financiare. Forcat tona të Armatosura janë një aset shumë i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare, prandaj transparenca në menaxhimin e burimeve financiare do të jetë e plotë. Në kushtet e buxhetit të kufizuar ky menaxhim merr një rendësi më të veçantë. 

a. Zbatimi i një disipline të fortë financiare do të bëhet në përputhje me prioritetet e Forcave të Armatosura. Forcimi i kontrollit për realizimin e buxhetit të mbrojtjes synon rritjen sa më shumë të efektivitetit në lidhje me shpenzimin e fondeve të vena në dispozicion. 

b. Programet buxhetore të mbrojtjes mbeten element i rëndësishëm i mënyrës se si do të planifikohen, administrohen dhe zbatohen të gjitha kërkesat që rrjedhin nga Planifikimi Strategjik Kombëtar, sipas fazave dhe zërave që kërkon ky proces gjithëpërfshirës.

c. Prioritet të kenë ato programe që sigurojnë zhvillimin e kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura. 

12. Bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes. Fokusi kryesor i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes do të jetë realizimi i detyrimeve që rrjedhin nga pjesëmarrja në organizatat, iniciativat dhe marrëveshjet e lidhura deri tani, si dhe mbështetjen e Forcave të Armatosura në krijimin e kapaciteteve operacionale dhe pjesëmarrjes në misione.

a. *Bashkëpunimi me NATO-n* të përqendrohet në realizimin e Objektivave të Kapaciteteve, harmonizimin e mëtejshëm të procesit të Planifikimit të Mbrojtjes së NATO-s me atë kombëtar, rol kontribuues në komitetet dhe grupet e punës së NATO-s, pjesëmarrjes në operacionet e drejtuara nga Aleanca, zhvillimin e kapaciteteve në kuadër të NRF-së, zhvillimi i kapaciteteve "*niche*" duke përdorur më së mirë iniciativat e "S*mart Defense*", "*Connected Forces Initiative*" dhe projekteve të përbashkëta. 

b. *Bashkëpunimi me BE-në* të përqendrohet në realizimin e kërkesave që rrjedhin nga procesi i integrimit të vendit në BE, duke plotësuar të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ky proces. Me fokus të ndiqet aspektet e Luftës Kundër Korrupsionit; Menaxhimit të Integruar të Kufijve, Politikës së Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe Përafrimit të Legjislacionit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

c. *Bashkëpunimi me OSBE-në* të përqendrohet në realizimin e marrëveshjeve për eliminimin e kimikateve të tepërta, hot-spoteve, armëve të vogla dhe të lehta, si dhe realizmin e detyrimeve në kuadër të Armë-Kontrollit dhe raporteve periodike që përgatiten për këtë qellim.

d. *Bashkëpunimi rajonal,* kryesimi nga vendi ynë i Iniciativës së A-5, të synojë rritjen e rolit të Shqipërisë në rajon, përmes zhvillimit të projekteve të përbashkëta, ne kuadër të kësaj iniciativave dhe të iniciativave të tjera rajonale. 

e. *Bashkëpunimi dypalësh* të vijojë të forcohet më tej në përputhje me platformën e bashkëpunimit, si dhe me fokus mbështetjen e Forcave të Armatosura në arritjen e Objektivave të Kapaciteteve. 

f. *Rishikimi i përfaqësimit ushtarak* në strukturat ndërkombëtare dhe atashetë ushtarakë në përputhje me prioritetet e politikës së mbrojtjes dhe dinamikës së zhvillimit të forcave tona të armatosura. 

## Iii. Jetësimi I Direktivës Së Mbrojtjes.

Si Ministre e Mbrojtjes, kërkoj nga Shtabi i Përgjithshëm, Komandantët e Forcave dhe njësive, Drejtoritë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FA të detajojnë plane dhe programe veprimi në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga kjo direktive, si dhe të marrin masa për realizimin në kohë të tyre. Inkurajoj dhe mbështes të gjithë personelin ushtarak dhe civil të FA, në përmbushjen e prioriteteve dhe objektivave të vitit 2014. Kërkoj nga të gjithë ju, të punoni me përkushtim për realizimin e kësaj direktive, për të ngritur në një shkallë më të lartë dinjitetin e Forcave tona të Armatosura, duke e renditur atë në lartësinë që e kërkojnë interesat e vendit. Sfidat janë të mëdha, i tillë duhet të jetë edhe angazhimi ynë për t'i përballuar ato.

## Ministri

MIMI KODHELI